ANDRIN KABASHI-APARTAMENTI NUMËR 13

ANDRIN KABASHI-APARTAMENTI NUMËR 13

0 Comments

Apartamenti numër 13, ishte apartamenti i familjes sonë, Qela. Aty kemi banuar ne: babai, nëna, unë dhe motra ime e vogël, Nina. Ky apartament gjendej në katin e dytë të ndërtesës dhe nuk ishte fort i madh. Një dhomë fjetjeje, një dhomë dite të lidhur me kuzhinë, banjën dhe normalisht, tarracën. Në fakt, ajo tarracë ishte shndërruar në dhomën time dhe Ninës. Ishte mbyllur me tulla dhe ishte izoluar mirë, tamam si të mos kish qenë kurrë një tarracë freskimi.

Unë jam tri vjet më e madhe se Nina. Ndonëse kemi një distancë moshe, prapë se prapë ne gjithmonë qëndronim së bashku, thua se ishim të të njëjtës moshë. Në korrik të atij viti, unë do mbushja të tetëmbëdhjetat. Kishim menduar që përvjetorin tim të tetëmbëdhjetë ta festonin në fshat, pasi që, qe bërë një kohë e gjatë pa shkuar atje, pa u takuar me të afërmit.

Vetëm dy ditë më ndanin nga datëlindja ime. Tashmë babai kish përgatitur gjithçka për orgjinë që do mbanin. Nëna dhe babai kishin vendosur që fundjavën ta kalonim në fshat, dhe festën, ta gdhinim atje. Por asnjëra nga ne nuk pranuam këtë ide. Ne ishim të pajtimit të rrinim në apartament, e më pas, pas dy ditësh, të niseshim për në fshat. Nëna dhe babai nuk parapëlqenin të na prishnin qejfet. Me të zbardhur mëngjesi i së shtunës, morëm rraqet e tyre, i vendosëm në makinë, dhe që ty dy u nisën për në fshat. Nuk deshi shumë kur para hyrjes së ndërtesës, të ndalej një kamion i madh. Nga prapa nesh doli zotni Ismaili – siç dukej kamioni ishte me të. Ai ishte një burrë plak rreth të tetëdhjetave i cili jetonte në apartamentin sipër nesh, së bashku me të shoqen e tij. Kamioni kish ardhur për t’u ngarkuar me orenditë shtëpiake të xhaxhit Ismail, pasi që, babai kish rënë në ujdi me të, për ta blerë atë apartament. Ai qe një apartament i madh. Kish madhësinë e dy apartamenteve bashkë. Duke qenë se ne po rriteshim, babai vendosi ta blinte atë, duke e ditur se dita ditës ne të dyja duhet të kishim secila dhomën tonë, dhe hapësirën personale që na takonte.

Përderisa punonjësit e kompanisë fusnin në kamion orenditë e xha Ismaili, në sytë e tij shihej qartë se sa mall e sa kujtime kishte për, dhe me to. Ai me të vërtetë ishte një burrë i vjetër. Tek ai vërehej qartazi se si e shkatërron pleqëria njeriun. Mezi ecte. Hapat e tij ishin aq të ngadaltë sa që shpesh as nuk dëgjohej kah ecte.

Xhaxhi Ismail vazhdoi me largimin e orendive, gjersa unë dhe Nina u ngjitëm lartë dhe u mbyllëm në apartamentin tonë.

Ishte ditë vere. Shkolla kish kohë që kish mbaruar, e tashmë ditët kishin filluar të bëheshin monotone. Çdo ditë e njëjtë me tjetrën. E kishim bërë si lloj zakoni që, sa herë të ishim vet në shtëpi, unë të qëndroja në dhomën e prindërve, ndërsa Nina në dhomën e ndenjës. Kalonin orë e ne qëndronim ashtu, të ndara.

Unë qëndroja në laptopin tim, lexoja një material mbi zbulimet dhe kërkimet e reja në fushën e biokimisë – në tetor do filloja studimet mbi këtë lëmi – dhe herë pas here, shikoja edhe video të ndryshme. Kishin kaluar orë e unë nuk i kisha vënë re, por ama si për ironi, trupi im po. Ishte dërrmuar i tëri. U ngrita të shpihem dhe hapa dritaren, pasi që brenda në dhomë ishte bërë vapë. Pashë se xhaxhi Ismail dhe e shoqja e tij kishin mbaruar punë me largimin e orendive të fundit, dhe tashmë, edhe vet ata po largoheshin. Duke i parë të hynin në makinë, m’u kujtua se ai nuk i kishte dorëzuar ende çelësat e apartamentit. Me t’u kujtuar, ia bëra derës për të dalë. Nina brofi në këmbë të më ndalonte, pasi që, ajo tashmë veçse i kish marrë çelësat nga ta. Të gjithë i kishe në dorë; më gëzoi ky fakt, mendova me vete: “Më në fund kjo çarramajkë  ka filluar të hy në punë diçka”. Vendosa kufjet në vesh dhe hyra në dhomë. Përsëri, të njëjtat veprime që isha duke bërë më herët.

Dielli kish nisur të perëndoi, dhe nata nuk vonoi të vinte. Nuk e mbaj mend se çfarë kemi ngrënë atë natë për darkë, por e di se pas saj, vazhduam rutinën tonë të njëllojtë. Nina qëndronte në dhomën e ndenjës, e unë në dhomën e prindërve. Në këtë periudhë të vitit, si çdo adoleshent tjetër, edhe ne qëndronim zgjuar deri në orët e vona të natës, madje kish raste se mëngjesi zbardhte, e ne ishim ende zgjuar.

Edhe ajo natë shkoi, duke i lënë vendin tjetrës.

Të dielën, koha e darkës kishte kaluar pa e vënë re. Ishte bërë vonë – diku rreth një çerek pas mesnate.

– Nina, je e uritur? – thirra unë duke kontrolluar dollapët e kuzhinës.

– Hë? – ma ktheu, duke larguar njërën kufje nga veshi.

– Të pyeta a je e uritur. – dhe vazhdova të kërkoja mos ka ndonjë gjë për të ngrënë.

– Mmm… po, jam.

U ktheva të shihja se çfarë po mbllaçiste aq shumë, sa që mezi ma ktheu përgjigjen gjysmake se a ishte e uritur a jo. – “Çfarë po ha?” – e pyeta disi e inatosur, pasi që kishin kaluar orë që kur ajo ishte shtrirë në divan, duke ngrënë gjëra nga më të ndryshme, kurse unë po vdisja, si një deve pa ujë në shkretëtirë.

– Do pak? – ma ktheu me gojën plot, duke më zgjatur qesen me patatina.

– Uh! Ti ta shpif!

Nuk e di. Në syrin e të rriturve, ajo që i thash, mbase mund të dukej diçka jo adekuate, por ama ja thash. Ne nuk i mendojmë fare ato që i themi njëri–tjetrit. Të paktën kjo është ajo që na bën adoleshent, apo jo? Nejse, kjo nuk ka aq shumë rëndësi.

– Do të ziej makarona.

– Uuuu….. më hahen!

– Me të vërtetë?! – ia ktheva me zë ironizues, duke u kthyer nga tenxherja për të bërë darkën gati.

Pak minuta më vonë, mora një mesazh nga babai. Të jem e sinqertë, më kish dërguar një foto, dhe jo mesazh. Aty ishin të gjithë familjarët (në fakt, mungonin xhaxha Beni dhe teto Matilda – e shoqja, pasi që ata jetonin në një shtet tjetër. Kisha kohë pa i parë. Ndoshta edhe vite.). Por mbi të gjitha, ata që ishin prezent, po bëheshin gati për festën që do mbahej nesër.

            Makaronat veçse ishin bërë gati tashmë. U ulëm dhe filluam të hamë. Ishim vetëm ne të dyja. Nuk nxirrnim zë së gjalli.

– E dëgjove? – pyeti Nina.

– Kë?

– Një zhurmë erdhi nga lartë.

– Lëri lojërat Ninë, nuk je më e vogël. Askush nuk është lartë. Baci Ismail u largua që moti.

– Jo, të betohem! Dëgjova diçka. M’u duk, si të ishin hapa të shpejtë.

– Ninë… – dhe fjalët m’u ndalën nga zhurma që edhe unë dëgjova nga sipër apartamentit tonë, fiks aty ku banonin komshinjtë tonë pensionistë.

Mora çelësat dhe u nisa menjëherë për në katin e sipërm. Hapa derën dhe, nuk pash asgjë… Gjithçka ishte bosh. Ishte vetëm një skelet apartamenti.

 E tërë hapësira ishte e zbrazët. Kontrollova dhomat mos vallë do ishte ndokush, por, jo… askush nuk ishte aty pos meje. Shfryva me një lehtësim të thellë, nga droja dhe frika se mos vallë dikush kishte hyrë brenda.

Dritaret ishin të hapura, të gjitha. Pas pak do fillonte shiu, sakaq vendosa t’i mbyll, që të mos futet uji brenda. I mbylla një nga një dhe kur mbylla dritaren e fundit, dëgjova derën tek u mbyll me një fuqi të madhe, duke u përplasur. Kjo më trembi dhe dola nga dhoma të shihja se ç’kish ngjarë. Të gjitha dritaret e dhomës së ndejës ishin të hapura.

Nuk i besoja dot vetes. Isha e bindur se ato i kisha mbyllur të parat. “Çfarë po ndodhë?” – pyeta veten me një frikë që gjithmonë e më tepër më shtohej dhe më shtrëngonte në stomak. Mbylla dritaret, përsëri, dhe u nisa poshtë tek Nina.

– Çfarë ishte ajo zhurmë? – pyeti ajo.

– D-duhet të ketë qenë rrymimi i ajrit me siguri. – ia ktheva me zë të dridhur nga frika.

Të dyja u ndamë përsëri. Ajo në dhomën e ndejës, ndërsa unë në dhomën e prindërve.

Dridhesha e tëra. Ato dritare i mbylla që në fillim, nuk mund të ishte e mundur që t’i kisha lënë hapur. Ndoshta mund të kisha harruar një apo dy, por jo të gjitha. Pastaj, po qe se i kisha mbyllur të gjitha, nga ku erdhi rrymimi i ajrit, që përplasi derën me aq furi? “Po sikur të mos kishte qenë fare rrymim ajri” – mendova me vete. Tërë kohës isha nën mendime.

Mendoja gjëra nga më të ndryshmet. Pastaj m’u kujtuan edhe hapat e shpejtë që dëgjova sipër. Çfarë mund të ishin ata? Nga mund të vinin?

Isha futur aq thellë në mendime, sakaq kur Nina hyri në dhomë dhe ndezi dritën, u tremba dhe fillova t’i bërtisja për veprimin e saj, të cilin unë e konsideroja të pamatur.

– Mora një mesazh nga teto Matilda që më tha të ndezja dritën në dhomën e nënës.

– Si? – e pyeta plot ankth.

Ajo më zgjati celularin e saj për të më treguar mesazhin.

– E çka do të thotë kjo?

– Nuk e di, unë thjeshtë veprova ashtu si më tha.

– Por kjo nuk ka aspak logjikë, Nina. Përse do të të dërgonte mesazh teto Matilda të ndezësh dritën në dhomën e nënës, kur ajo është krejt në një shtet tjetër?

– Ndoshta është në fshat dhe ka menduar se jemi edhe ne atje. Ti e di, dhomën e gjyshes të gjithë e quajnë “dhoma e nënës”.

– Jo, nuk është e mundur! Babai më dërgoi një foto pak më herët. Ajo nuk ishte aty. Jam tejet e bindur se ajo nuk gjendej në atë foto.

– Ndoshta ka qenë diku tjetër. – ma ktheu Nina, si me pak drojë.

– E-edhe nëse do kish qenë diku tjetër, – shtova unë, duke m’u dridhur zëri – babai do më tregonte. Do më thoshte se xhaxha Beni dhe teto Matilda kanë ardhur për datëlindjen time.

– Çfarë do të bëjmë tani?

– Nuk e di Ninë… nuk e di…

Jashtë, tashmë shiu kish filluar. Pikat e shiut ishin të mëdha dhe të trasha. Bënin zhurmë të madhe kur binin. Pullazet, ishin metalike në atë rrethinë banimi. Era fërfëllonte gjethet e pemëve, duke krijuar gjithmonë e më tepër laramani zhurmash dhe një ndjenjë pasigurie për dy vajza të vetme, në apartamentin numër trembëdhjetë.

( Bazuar në ndodhinë e vërtetë të mikes sime, Rr.Q. )

29. 7. 2020 – Prishtinë.

/RevistaUji-XI/