ALBIN MEHMETI-NË KËRKIM TË IDEALEVE – INTERPRETIMI I TEMAVE UNIVERSALE NË VEPRËN E KOSTAS VALETAS

ALBIN MEHMETI-NË KËRKIM TË IDEALEVE – INTERPRETIMI I TEMAVE UNIVERSALE NË VEPRËN E KOSTAS VALETAS

0 Comments

Letërsia dhe shoqëria janë binom i pandashëm që nga veprat e para në antikë e deri në ditët e sotme. Probleme të jetës së gjithmbarshme shoqërore si luftërat, paktet e paqes e organizimi shtetëror e  deri të problemet familjare ishin subjekt i veprave letrare, thuajse në të gjitha epokat historike. Në veprat letrare, mund të hasim tema që i përkasin një periudhe a populli të caktuar, si shembull tema e besës dhe gjakmarrjes është tipike vetëm për shqiptarët, kurse në anën tjetër kemi temat universale, që thyejnë kufijtë kohor, etnik, racor a religjioz. Shkrimtari grek Kostas Valetas, do ta bëj pikërisht këtë të fundit, pra përmes personazheve të tij, që kryesisht vijnë nga jeta e përditshme greke, do të trajtojë tema universale, ku spikasin ajo e kurbetit, varfëria, idealiteti si dhe ndeshja e të resë me të vjetrën.

Në tregimin “Si e varrosën Polin”, që bën pjesë në përmbledhjen me tregime “Akrobatët” , autori si subjekt ka polemikat rreth varrimit të Polit, një njëri i thjeshtë e i varfër. Këtu do të vërejmë dy elemente që janë përçuese të mesazhit të tregimit: në njërën anë kemi priftin, që vonohet në ceremoninë mortore, kurse në anën tjetër kemi moslejimin e varrimit me arkivol për arsye se ai ishte i varfër. Nëse i pari paraqet institucionin, tek e dyta kemi një rregull shoqëror të pashkruar që është diskriminues për shtresën e ultë të shoqërisë nga aspekti ekonomik. Por, pavarësisht kësaj, autori jep një moralizim në fund, pasi ai në mes të varfërisë sheh miqësinë e sinqertë, ku shoqëria lidhet mbi bazën e dashurisë dhe jo të interesit.

Kostas Valetas, do ta rikontekstojë mitin e Arianës, në tregimin me të njëjtin emër. Nëse në mitologjinë greke, Ariana pasqyrohej si ndihmëtare e Tezeut për ta gjetur zgjidhjen e labirintit , tek Valetas, Ariana është shtytësja e bashkëshortit që ta gjej rrugën e kurbetit, rruga e cila në fakt ishte rruga e kërkimit të jetës më të mirë. Brenda po këtij tregimi, autori do të trajtojë çështje të konfrontimeve ideologjike-politike, ku përmes protestave dhe grafiteve në tunelet e metrove, kemi kërkesat për ndryshimeve të elitave politike, madje edhe ndryshim të sistemit qeverisës.

Kurbeti është ndër temat më të  trajtuara nga Valetas. Këtë do ta bëjë edhe në tregimin “Monolog në atdheun e Odinit”, ku përsëri miti do të jetë referim për shtjellim të kësaj teme. Kësaj radhe, autori do të përdor mitin nordik të Ordinit, i cili ishte hyjni supreme e luftës. Përmes rikontekstualizmit, do shohim paraqitjen moderne të luftës, jo si një luftë frontale e dy ushtrive, por, luftë e emigrantëve për ta siguruar ekzistencën e tyre në vendet e huaja, shpesh herë duke rrezikuar jetën e tyre për një kafshatë.

Ardhja e të resë, potencialisht do thotë konflikt i saj me të vjetrën. Në tregimin “Dorëshkrimi i të ndjerit” kemi konfliktin e një botuesi me familjen e një shkrimtari të ndjerë, i cili pas vetës la në dorëshkrim vepër të pabotuar. Këtu do ta kemi ndeshjen pikësëpari të ideve të botuesit me idetë e familjes, të cilët duke dashur ta ruajnë nderin e familjes, refuzojnë ta botojnë veprën, e cila brenda saj ka nuanca të theksuara të erotizmit. Kjo për botuesin ishte diçka normale, kurse për familjen ishte prishje e konvencave tradicionale të moralit. Autori, e përmbyllë këtë konflikt me djegien e dorëshkrimit, që le të nënkuptohet fuqia e tradicionales në një shoqëri ku alfa dhe omega është ruajtja e nderit familjar.

Arritja e ideales, ishte dhe vazhdon të mbetet ndër çështjet më të rëndësishme që preokupuan njerëzimin gjatë gjithë historisë. Në tregimin “Shtatëmbëdhjetë vjet”, KostasValetas do ta përshkruajë udhëtimin e dy të rinjve drejt një vendi që është ideal për ta, një vend të njohur për ta vetëm nga tregimet e bashkëfshatarëve të tyre që ua përshkruanin. Këtu kemi ndeshjen e dy botëve, asaj reale ku ata punojnë shumë për të fituar pak, dhe në anën tjetër kemi jetën ideale, drejt së cilës kërkojnë të ikin. Idealiteti shpesh herë del të jetë fatkeqësi për njeriun, ose më mirë të themi lind dëshpërimi kundrejt asaj që ëndërrohet a idealizohet. Dy të rinjtë arritën në destinacionin që u nisën, në Volo,  por ata me të shkelur tokën e saj u arrestuan, pasi në atë vend të rinjtë ishin të padëshiruar. Pikërisht përmes këtij elementi, autori jap tablonë e asaj se idealet shpesh herë janë të rrejshme të cilat mund të çojnë drejt qorrsokakut, sikurse rasti i tyre, arrestimi nga policia e Voloes. Nëse do ta analizonim këtë tregim nga aspekti sociologjik, do të vërenim elemente e migrimit të brendshëm, nga provinca drejt vendeve urbane. Duke u bazuar në Fjalorin Sociologjik të Oksfordit migrimi ndodh si rezultat i dy faktorëve,  atyre shtytës dhe tërheqës . Të parat, do t’i ndërlidhnim me gjendjen e disfavorshme ekonomike në vendin e tyre të lindjes, kurse faktorët tërheqës ndërlidhen me kushtet më të mira në Volo, qoftë nga aspekti i punësimit, por edhe atë të argëtimit.

Në tregimet e Kosto Valetas, dominon tipi i narracionet në shkallën e parë-ekstradiegetik, që do thotë se që nga fillimi e deri në fund rrëfehet vetëm një ngjarje e vetme, pra nuk ka nënrrëfime, që do të mund të shërbenin si digresion nga rrëfimi bazë. Narratori në diskursin narrativ luan funksion fatik, pasi si i tillë (në të gjitha tregimet) rrëfimin e realizon duke i ofruar lexuesit probleme të njëjta ose të ndryshme. Narratori  nuk shfaq dy funksionet tjera, atë apelues, pasi në asnjë vend nuk mundohet t’i bindë lexuesit për një iks ide a problem, e as nuk shfaq funksionin ekspresiv, pasi në asnjë moment, ai nuk ështëemocional e ti, në raport me ngjarjet e caktuara.

Pasi kemi rrëfimin vetëm në shkallën e parë, atëherë edhe narratori është ekstradiegetik, që do thotë nga fillimi e deri në fund të tregimit, kemi një zë që rrëfen.  Në bazë të pranisë në ngjarje, kemi të dy llojet e narratorit, atë ku është pjesë e ngjarjeve- homodiegetik  dhe atëherë kur rrëfen nga distanca heterodiegetik. Kjo bën, që narratorët të jenë të ndryshëm edhe sa i përket dijes mbi ngjarjen, pasi janë të pranishëm narratorët me dije të kufizuar dhe ata të gjithëdijshëm.

Fokalizmi në këto tregime përqendrohet në jetën e përditshme greke, kryesisht jeta e punëtorëve në emigracion, dhe ky fokalizim del të jetë fiks, pasi në të gjitha tregimet kemi vrojtim konstant, pra nga një fokalizator që kryesisht është ekstranal.

Pra, siç e shohim nga analizimi i tregimeve të mësipërme, Valetas përmes personazheve të tij arrin trajtimin e temave universale, ku me mjaft mjeshtëri realizon idetë dhe mendimet e tij duke uamveshur personazheve të cilët ndonëse vijnë nga jeta e përditshme greke, mundësohet elaborimi apo shtjellimi  temave që janë ndikuese, të drejtpërdrejta për shoqërinë siç është: kurbeti, pastaj plaga e cila vazhdon të jetë aktuale edhe sot në shoqëri të ndryshme, pra varfëria, ndeshja e te resë me te vjetrën etj.

Autori vë ne pah diskriminimin ndaj shtresës se ulët  nga aspekti ekonomik, diskriminim te cilit i kundërvihet efekti moralizues, që lë të kuptohet se pikërisht tek kjo shtresë shoqërore mund të gjenden virtytet me te larta. E se njëjtës rëndësi na paraqitet edhe lufta për ekzistencë e emigrantëve në vendet e huaja, ku për të arritur sigurimin e një kafshate. rrezikohet jeta.

Pra, autori duke vë përballë njëra tjetrës virtytin dhe vesin, të drejtën dhe te pa drejtën, interesin dhe sinqeritetin, arrin të përçojë mesazhe të një rëndësie të veçantë, mesazhe moralizuese për shoqërinë.

Literatura

– Dhama Todi, “Fjalor i mitologjisë”, SHB “Uegen”, Tiranë 2010

– Marshall Gordon, “Fjalor sociologjik”, Botimet IDK, Tiranë (pa vit botimi)

– Valetas Kostos “Akrobatët”, SHB “Rilindja”, Prishtinë 1990

/RevistaUji-XI/