NURIDIN AHMETI-“XHEMIJETI” NË HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE

NURIDIN AHMETI-“XHEMIJETI” NË HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE

0 Comments

Njëra nga organizatat politike legale e themeluar dhe e cila vazhdoi veprimtarinë  e saj në periudhën mes dy luftërave botërore me qendër në Shkup, ishte edhe “Organizata e Myslimanëve të Jugut, e njohur si “Xhemijeti” apo “Bashkimi” me Nexhip Dragën kryetar. Kjo organizatë politike dhe organi i saj “Hak” apo “ E drejta”, u bënë zë i arsyeshëm për mbrojtjen e të drejtave të popullatës ku vepruan. Të paktën kështu thuhet në vështrimet e fundit të që i bëhen kësaj organizate politike dhe veprimtarisë së saj. 

Mirëpo, nga dekadat e para të pasluftës së Dytë Botërore e deri më sot, kur filluan të botohen shkrime për organizimet politike në vendin tonë pas vitit 1918, disa nga autorët e punimeve shkencore nuk e ndanin të njëjtin mendim për “Xhemijetin” dhe veprimtarinë e saj.

Historiografia e jonë, me disa përjashtime, deri në vitet e ‘90-ta e trajtoi “Xhemijetin” si një organizatë antikombëtare dhe si një organizëm që më shumë ishte e interesuar për avancimin e të drejtave fetare në Mbretërinë Serbo-Kroato Sllovene.

Pas viteve të ‘90-ta janë dominuese kontributet shkrimore nga studiuesit tanë të cilët mendojnë se “Xhemijeti”, udhëheqësit dhe organi i saj “ Hak”, mbrojtën të drejtat nacionale të shqiptarëve në Mbretërinë Serbo-Kroato Sllovene.

“Xhemijeti” dhe veprimtaria

Teksti zyrtarë dy vëllimesh i Historisë së Popullit Shqiptarë i botuar në Tiranë në vitin 1967 dhe i ribotuar, siç shkruan në fillimet e këtij botimi në Prishtinë më 1979, me “pak ndryshime të natyrës specifike”, “Xhemijetin” nuk e përmend fare. 

Rrjedhimisht, edhe në tekstet shkollore në gjuhën shqipe në Kosovë të botuara nga vitet e ‘60-ta,  edhe pse trajtohet periudha në mes dy luftërave botërore te shqiptarët, periudhë kjo që përkon me formimin dhe veprimtarinë e “Xhemijetit”, për këtë organizatë dhe veprimtarinë e saj nuk shkruhet asgjë.     

Në vitin 1971 Prof. dr. Hajredin Hoxha boton artikullin mbi partitë politike dhe lëvizjet e tyre në Jugosllavinë borgjeze, siç e quan ai, dhe kur shkruan për “Xhemijetin” më shumë e sheh si një parti e cila ishte formuar për të plotësuar pluralizmin partiak të kohës.  Me një konstatim të tillë nuk pajtohet plotësisht Prof. dr. Hakif Bajrami i cili mendon se qëllimi i konstatimit të Prof. dr. Hajredin Hoxhës nuk është parësor, por dytësor dhe se “roli i forcave subjektive shqiptare” ishte kryesor dhe se nuk qëndronin elemente për shtytje nga jashtë – konstaton studiuesi Bajrami.   Në vitin 1981 në studimin monografik “Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë më 1918-1941”, Prof. dr. Hakif Bajrami, trajton edhe çështjen e “Xhemijetit”. Ky studiues mbi bazën e dokumentacionit të vjelur gjithandej në arkivat e ish-Jugosllavisë, është i bindur se kjo parti politike dhe prijësit e saj ishin në linjën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe disa zëra të cilët e cilësojnë këtë parti si nacionale turke dhe fetare, sipas studiuesit Bajrami “nuk mund të qëndrojë meqë më së mirë këtë e demanton fakti se Nexhip Draga, kryetari i saj, ishte luftëtarë i denjë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare…, tendenca që ajo të quhet “turke” nuk është asgjë tjetër veçse nënçmim i lëvizjes kombëtare shqiptare…, vetë fakti se “Xhemjeti” shtroi edhe kërkesa për çlirim nacional, tregon qëndrim politik të borgjezisë, prej se cilës ishte krijuar ”.  – konstaton autori H. Bajrami.   

Në Kosovë “Xhemijeti”, u trajtua më hollësisht në vitin 1985, kur në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filozofik, në degën e Historisë, u mbrojt tema e doktoraturës me titull ”Formimi dhe veprimtaria e partive politike borgjeze në Kosovë më vështrim të veçantë për “Xhemjetin”, nga kandidati Mejdi Elezi nën mentorimin e Prof. dr. Masar Kodrës.  Ky autor “ Xhemijetin” dhe veprimtarinë e tij e sheh si tërësisht antikombëtare. Për me tepër Mejdi Elezi i jep të drejtë vetës pa modesti të konstatoj se këtë organizatë politike e ka studiuar rrënjësisht duke arritur “në përfundimin se këtu punohet për një organizatë politike, e cila ka qenë instrument i borgjezisë serbomadhe, kurse elementi feudal-çifligar i “Xhemjetit” ka pasur për qëllim t’i mbroj interesat e veta klasore, e jo edhe të popullsisë shqiptare. Duke i pasur parasysh faktet që përmendëm më lart, nuk e kemi pranuar mendimin e disa autorëve-thekson autori Elezi, të cilët përpiqen që “Xhemjetin” ta paraqesin si organizatë shqiptare, e cila mbronte interesat kombëtare dhe sociale të kombësisë shqiptare në këtë kohë në vendin tonë. Përkundrazi” Xhemjeti” dënonte në përgjithësi lëvizjen kaçake, përkrahte çarmatimin e popullsisë shqiptare dhe nuk përpiqej që Reforma Agrare dhe kolonizimi në Kosovë të zbatohet nga aspekti klasor, e jo të ketë qëllim të asgjësimit të kombësisë shqiptare në këtë rajon…., është e vërtet se nga radhët e “Xhemjetit” në zgjedhjet parlamentare u zgjodhën 14 deputet shqiptare, mirëpo ata e favorizuan politikën serbomadhe në të gjitha seancat e parlamentit të atëhershëm të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene”. 

Në vitin 1990 studiuesi Prof. dr. Muhamet Pirraku, trajton njërin nga personalitet e njohura të “Xhemijetit” dhe ndër kontribuuesit për shtrirjen e veprimtarisë së kësaj organizate te shqiptarët, Nazim Gafurri të cilin e quan ”bamirës i madh i kombit shqiptarë”. Në fakt, përmes personalitetit të N. Gafurrit autori paraqet edhe shtrirjen dhe veprimtarinë e “Xhmijetit”.   

Në vitin 2001, kemi kontribute shkrimore prapë nga studiuesi H. Bajrami, duke mos lëvizura nga konstatimet për këtë organizatë politike që i kishte artikuluar me herët dhe konstatonte se “Orientimet politike të Xhem’ijetit gjatë veprimtarisë kanë qenë kryesisht në baza nacionale shqiptare, edhe pse qarqet e okupatorit përpiqeshin t’i impononin orientim anacional. Për të arritur këtë qëllim, përmes disa drejtuesve brenda partisë, bënë përpjekje për t’u imponuar në vend të kombëtares, platformën e kamufluar anacionale”,  por në vështrimin prej dy vazhdimesh studiuesi H. Bajrami e përmbyll shkrimin e tij me konstatimin se “ Xhem’ijeti, e po të mos ketë punuar për asgjë tjetër, qoftë vetëm pse ua prishi planet jugosllavëve dhe italianëve më 1939-1940, – me këtë veprim ka shënuar epokën e vet historike dhe kombëtare”.

Në vitin 2007 në librin e tij studiuesi nga Gjirokastra Prof. dr. Shyqyri Hysi, ”Xhemijtin” e vlerëson si lëvizje “atdhetare shqiptare”.  Në vitin 2007 në Tiranë botohet Historia e Popullit Shqiptarë, dhe, çuditërisht, kjo organizatë nuk përmendet.  

Për publicistin e studiuesin Jusuf Buxhovi i cili në vitin 2012 botoi “Historia e Kosovës” në tre vëllime, “Xhemijeti” kishte petkun fetarë (islam), orientimin turk (gazeta e saj ”Hak” do të botohej në gjuhën turke dhe atë serbe), ndërsa dihet se përfaqësonte dhe mbronte interesat e shqiptarëve”.

Sot, në tekstet shkollore të historisë në Kosovë, flitet për “Xhemijetin”, dhe veprimtarinë e kësaj organizate, përmendet veprimtaria e deputetëve shqiptarë në parlamentin e Jugosllavisë së atëhershme, si: Nexhip e Ferhat Draga, Aqif Bluta, Ramë Bllaca etj., duke e vlerësuar angazhimin e tyre në ”demaskimin hapur dhe njoftimin e opinionit ndërkombëtarë për gjenocidin që ushtrohej ndaj shqiptarëve”.  Gjithashtu, behët fjalë për bashkëpunimin që “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës kishte me “Xhemijetin” si ”të vetmen parti politike legale ku aderonin shqiptarët”,  shkruan për përpjekjet e regjimit serbë në shkatërrimin e kësaj organizate dhe ndalimin e organit të kësaj organizate, gazetës së njohur”Hak” etj.  Ndërsa, “Historia e Popullit Shqiptarë” për shkollat mesme, i jep më shumë hapësirë “Xhemijeti” dhe veprimtarisë së saj duke e cilësuar si një organizatë e cila luajti rol të rëndësishëm “për demaskimin e politikës shoviniste serbo madhe ndaj shqiptarëve”.  Për historianin dr. Skender Asani, i cili është marrë më hollësisht me veprimtarinë e “Xhemijetit”, këtë organizatë e vlerëson në këtë mënyrë: “Programi i Xhemijetit ishte jetësimi i programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo me deputetët e saj në parlamentin e Mbretërisë SKS, përfaqësoi denjësisht interesat e shqiptarëve në këtë shtet, duke kundërshtuar në radhë të parë kolonizimin dhe reformën agrare, si dhe pengimin e shpërnguljes së tyre në Turqi e Shqipëri”.

Një shkrim interesantë, me titull “Xhemijeti i Ri” publikohet në rrjetet sociale në Kosovë në vitin 2014. Ky shkrim ka për autor filozofin dhe këshilltarin e kryeparlamentarit të Kosovës z. Kadri Veseli. Autori i këtij shkrimi është Dr. Blerim Latifi, i cili duke analizuar sipas tij rrymën radikale islamike në Kosovës “Vehabizimin” dhe disa parti të cilat veprojnë sot në Kosovë, e që sipas të cilit kanë prapavijë të islamit politik, kjo e gjithë sipas filozofit Latifi i ka rrënjët te “Xhemijeti”. B. Latifi shkon deri aty, sa e një udhëheqësi të një lëvizje politike në Kosovë dhe një klerik të cilët veprojnë sot në Kosovë i krahason me veprimtarinë e Nexhip e Ferhat Dragës ”klerikët e sotëm kosovarë që kërkojnë futjen e sheriatit në të drejtën civile, futjen e dogmave fetare në sistemin e arsimit publik të Kosovës, partitë me orientim ideologjik islamik si “Partia e Drejtësisë” dhe “Lëvizja Bashkohu”, që për koincidencë kanë në emrat e tyre vetë emrin e Xhemijetit, janë në thelb ringjallje e këtij të fundit. Ato janë Xhemijeti i Ri. Të tillë si Fuad Ramiqi e Shefqet Krasniqi janë pasardhës besnikë të Nexhip e Ferhat Dragës”.

Ky shkrim nuk përfundon këtu, disa ora pas publikimit shkrimin nga z. Latifi, ish-kryeparlamentari i Kosovës, me profesion historian dr. Jakup Krasniqi, këtë shkrim e poston në rrjetet sociale dhe u sugjeron lexuesve që ta lexojnë këtë analizë të shkëlqyer sipas tij. 

Studiuesit e huaj për “Xhemijetin”

Organizata politike “Xhemijeti”  ka tërhequr edhe vëmendjen e studiuesve të huaj, historianëve e albanologëve. Ndër studiuesit e huaj, të cilët i janë qasur kësaj organizate politike janë: Noel Malcolm, Robert Elsie dhe Oliver Shmit.

Për këta studiues, “Xhemijeti” apo deputetët shqiptarë që ishin pjesë e parlamentit në Beograd bënin përpjekje edhe për avancimin edhe të drejtave nacionale të shqiptarëve në Kosovë  “herë pas here kishin zhvilluar edhe veprimtari politike dhe kishin bërë protesta, duke reaguar ndaj kushteve të përgjithshme të jetesës në Kosovë”- konstaton studiuesi britanik Noel Malcolm.  Të njëjtin mendim si të studiuesit N. Malcolm e ndanë edhe studiuesi Robert Elsie.  Ndërsa, studiuesi Oliver Shmit mendon se në këtë kohë, pavarësisht emrit që mbante “Xhemijeti” nuk kishte lidhje koalicionuse në mes të myslimanëve shqipfolës edhe sllavishtëfolës të Bosnjë-Hercegovinës, dhe se kërkesat e Kaçakëve shqiptarë të parashtruara në këto vite ngjanin me ato të “Xhemijetit”, si: “dhënien fund të arbitraritetit nga ana e autoritete, pastaj autonomi, rihapja e shkollave shqipe të themeluar nga Austro-Hungaria dhe shqipen si gjuhë zyrtare”. 

Përfundim

Duke shfletuar punimet historiografike mbi “Xhemijetin” dhe veprimtarinë e saj nga autorët tanë mund ta ndajmë në dy periudha kohore:

E para – periudha pas viteve ‘50-ta deri në vitet e ‘90-ta, kur kjo organizatë dhe veprimtaria e saj u panë si organizatë antikombëtare dhe e cila kishte si synim vetëm avancimin e të drejtave fetare. Në këtë periudhë përjashtim bëjnë studimet e Prof. dr. Hakif Bajramit dhe

E dyta – periudha kohore pas viteve ‘90-ta e deri më sot. Në këtë periudhë karakterizohen shkrimet të cilat e trajtojnë të kundërtën e asaj që u tha para viteve të ‘90-ta, d.m.th., “Xhemijeti” dhe udhëheqësit e saj dhe organi “ Hak” u trajtuan si një veprimtari e përbashkët për avancimin e të drejtave nacionale të shqiptareve dhe demaskimin e politikës shoviniste ndaj shqiptarëve të pushtetit të asaj kohe.

Për periudhën pas viteve të ‘90-ta ndër autorët të cilët shkruan për këtë organizatë politike janë Hakif Bajrami, Muhamet Pirraku, Shyqyri Hysi, Jusuf Buxhovi.

Është për t’u potencuar se studiuesi H. Bajrami, për sa i përket kësaj problematike ka qëndrim konstantë që nga vitet e 80-ta e deri në ditët e sotme.

Për shkrimet e studiuesve të tjerë, para viteve të 90-ta vërehet ndikimi i rrethanave në të cilat ata jetuan, qoftë në shtrimin e problemeve apo edhe në përdorimin terminologjik.

Marrë në përgjithësi, shkrimet dominante janë ato të cilat e cilësojnë “Xhemijetin” si një organizatë që me deputetët e saj shqiptarë e ka ngritur zërin në sensibilizimin edhe në arenën ndërkombëtare të te drejtave nacionale te shqiptarëve.

Studimet e fundit rreth ndriçimit të kësaj organizate dhe botimi i dokumentacionit që lidhet me të dhe udhëheqësit e saj, japin më shumë të dhëna dhe më pakë u lenë hapësirë paragjykimeve.      

/RevistaUji-XI/