BAJRAM KARABOLLI – METAMORFOZA
Vajzë e re dhe e bukur, me syze dielli majë kokës. Me një buzëqeshje të gjerë
e të ëmbël, më shënon emrin dhe më pyet se ç’përfaqësoj.
Veten time, – i them shkurt dhe, edhe pse e shtrydh tërë gëzimin brenda vetes,
mezi i kthej një buzëqeshje të vockël, shumë larg buzëqeshjes së saj aq të
pakursyer.
Futem në sallën ku bëhet tubimi i intelektualëve të qytetit, për një çështje të
madhe kombëtare.
Sallë e madhe e mbushur plot. Mbrapa njerëzve, të cilët, në një qetësi qytetare
të admirueshme, presin hapjen e mbledhjes, një korie e vogël kamerash ka
filluar të regjistrojë tribunën, ku kanë zënë vend nja shtatë zonja e zotërinj të
nderuar, pa dyshim, ajka e intelektualëve të qytetit tonë. Jam nga të fundit që
hyj, por, gjithsesi, zë vend në rreshtin e parë, ku më pret një miku im. Pa zënë
vend mirë, më tërheq vëmendjen një fytyrë e parë dhe e admiruar në ekranet
televizive prej atyre që ndjekin emisione për çështje të mëdha kombëtare. Ja
tek është, nja tetë vende tej meje, në qendër të rreshtit, gjithë sqimë e dinjitet,
këmbë mbi këmbë, me shpinën vogëloshe, por aq të ngarkuar me hallet e
kombit, mbështetur pas karriges.
Kudo sundon një atmosferë e vërtetë intelektuale e patriotike dhe të duket se
është i vetmi mjedis ku mungon çdo lloj nuance politike. Këtë ndjenjë ta
transmetojnë jo vetëm buzëqeshjet dashamirëse e paqësore që shpërndahen tej
e këtej, pa kursim, por edhe kravatat serioze e me kolor kombëtar, apo
parfumet e lehta erëmirë që përhapin thonjtë e bukur të duarve dhe këmbëve
të hijshme femërore, stolisur me një larushi ngjyrash nga më të rrallat.
Takimin e hap një djalë i ri simpatik, i cili, pasi tregon qëllimin dhe rëndësinë
e tubimit, ia jep fjalën kryetarit të shoqatës, një burrë me kravatë në ngjyrën e
flamurit tonë dhe, patjetër, me përvojë në çështjet atdhetare. Ky flet gjatë e
bukur dhe duartrokitet prej të gjithëve me entuziazëm, por edhe me masën dhe
edukatën që i ka hije një komuniteti të vërtetë intelektualësh, si ky, ku bëj pjesë
edhe unë. Pastaj flasin me radhë: një zonjë me rielin e qerpikëve dhe ngjyrën
e thonjve trëndafilí, njësoj si ajo e bluzës që ka veshur; një zotëri me syze të
rënda miopi, me siguri nga që e ka shkuar jetën mbi libra dhe jo nga mosha;
një tjetër zotëri, pa fije floku në kokë, sigurisht pasojë e dijeve të shumta, i cili
hedh dritë mbi periudhat më të lashta të vendit tonë; një profesoreshë e njohur
e marrëdhënieve tona me fqinjët në shekuj; etj. Të gjithë përcillen me
duartrokitje e fjalë të ngrohta falënderimi. Deri tani, asnjë fjalë për politikën.
Të duket se punët po shkojnë vaj.
Dhe ja tek del një zotëri, rreth të gjashtëdhjetave, me një trup të hajthëm. Fjala
e tij është e këndshme, por, aty-këtu, edhe cytëse. Ngaqë flet pa letër, del ca
nga tema dhe, tërë humor, fillon e shëtit në ca shtigje të politikës aktuale, që,
sigurisht, dokëndis një pjesë të gjendjes.
Befas, ndiej se klima po trazohet dhe salla sikur po pushtohet nga re e
fërfëllima acaruese. Mbrapa shpine dëgjoj ca si hungërima të lehta. Pak i
bezdisur dhe i druajtur, kthej kokën për të parë. Gati pataksem. Një zonjë, me
sytë e egërsuar drejt lektorit, po skërmit dhëmbët dhe gërnjapset. O Zot, ç’po
më shohin sytë! Thonjtë e saj aq të hijshëm po kthehen në çaponj, duart dhe
këmbët e bukura po i mbulohen me qime të ashpra. Ajo, tashmë nuk është më
një zonjë, po, mizorisht, një buçe që angullin. Sakaq, angullimat e saj ndiqen
nga të tjera angullima. Pastaj, ia nisin lehjet. Nëna ime! Qen të tërbuar që
hidhen në zinxhir. Një pjesë i lehin me egërsi atij që ndodhet tek lektorja, i
cili, me qimet përpjetë e me skërmitje dhëmbësh, qëndron në gatishmëri për
t’u mbrojtur. Ndërsa pjesa tjetër leh kundër tyre. Një bulldog i ri amerikan,
trupmadh e i fuqishëm, i shoqëruar nga një lumë vërshues lehjesh përkrahëse,
vërsulet me tërbim drejt lehtores. Gati i hidhet përsipër racës së vet, i cili, me
sytë e çakërdisur nga përmasat e trupit të bulldogut, brinjohet paksa nga
lehtorja. Trupmadhi i leh me tërsëllimë mu në turinj, ndërkohë që jargët i
rrjedhin çurg. Ndiej se, brenda vetes sime, po më çlirohet bisha e egër. Shikoj
tej e këtej, filloj të hungërij dhe bëhem gati t’i hidhem sipër të parit qen apo
buçe që do të më sulmojë. Nja tre-katër qen, si të kishin këputur zinxhirët, ia
mbathën nëpër pyll. Qeni i lehtores, me ca çapa të avashme dhe duke parë
vëngër, e lë lehtoren dhe, me bisht ndër shalë, shkon drejt shtrofullës së tij.
Ndërsa bulldogu, me ca lehje të trasha triumfi, futet te kopeja e vet, ku pritet
me tundje të forta bishti dhe angullitje përgëzimi. Një buçe fillon ta lëpijë,
gjithë dashuri. Ai qeni i ri, me trupin e paktë, shtatë a tetë vende tej meje (ai
me shpinën vogëloshe, por aq të ngarkuar me hallet e kombit), i cili deri
atëherë kishte qëndruar i heshtur e krenar, papritur e pa kujtuar, turret tek
lehtorja dhe fillon t’i lehë lukunisë. Është një lehje prej oratori të vërtetë që
nis me një angullimë të lehtë. Pastaj, angullimë dhe kuisje bashkë që, duke u
rritur shkallë-shkallë deri në shkallim, kthehet në një lehje-bulurimë, gulçuese
e buçitëse, e cila, si me magji, të shpie në ca kohëra të bishta shpellash. Tani,
gjysma e kopesë i leh atij me një gëzim të harbuar, ndërsa gjysma tjetër leh në
drejtim të kësaj gjysme. Dhe kur qeni i ekraneve i leh qenit të përzënë prej
lehtores, atëherë lehjet e të dy gjysmave arrijnë kulmin.
Në këtë valë lehjesh e hungërimash të shfrenuara e të frikshme, pa dashje, më
kreshpërohen qimet e qafës. Pastaj, befas, më pushton kushedi ç’instikt i lashtë
shpellor dhe ia fut vrapit. Marr poshtë përroin dhe futem në pyll. Diku ndalem.
Është terr. Një brengë e rëndë më përvëlon fytin dhe leh disa herë ankueshëm.
Pastaj ulem në bisht dhe, me qafën e nderur e me turinjtë lart, ia jap një
ulërime.
Është një ulërimë-kuje, që i drejtohet perëndive, atje lart, në mbretërinë
qiellore, që s’do të dijë fare se ç’bëhet këtu poshtë tek ne.