SAMET VATA-HALVETI, VETËM ME ZOTIN NË MESIN E NJERËZVE
Tradita sufiste e Islamit është një ndër aspektet më të rëndësishme sa i përket procesit që besimtari ndjek në vendosjen e marrëdhënies së tij me Zotin. Tërësia e adhurimeve dhe ritualeve të cilat gjenden në librat e kësaj disipline kanë të bëjnë me edukimin shpirtëror të individit, sipas traditës profetike e cila është përcjellë në Kuranin Famëlartë, si dhe në traditën konstituitive të pejgamberit të Zotit. Një ndër ritualet më të rëndësishme dhe që zënë vend kryesor në procesin e jetës shpirtërore është edhe distancimi fizik nga mesi i shoqërisë dhe kontakti me njerëzit. Kjo praktikë njihet në traditën Islame si Halvet.
Në aspektin etimologjik, ky term i gjuhës arabe do të thotë të qëndrosh vetëm, të distancohesh diku në veçanti. Ndërsa në aspektin terminologjik ka kuptimin e qëndrimit i tërhequr nga mesi i njerëzve për një kohë të caktuar, me lejen e një edukatori shpirtëror, në mënyrë që të edukosh karakteristika të papëlqyeshme të karakterit. Lidhur me këtë Kashaniu thotë se kjo ka kuptimin e largimit prej gjithçkaje dhe t’ia dedikosh veten tënde tërësisht Allahut.
Praktika e tërheqjes nga mesi i njerëzve për të edukuar veten, apo për të përgatitur veten shpirtërisht për përgjegjësi shpirtërore ose fizike është praktikë e profetëve të Zotit, gjë kjo që përcillet edhe në ajete të caktuara të Kuranit Famëlartë. Fjala vjen, kur Zoti do ta ngarkonte Musain a.s me Librin e Shenjtë Teuratit, paraprakisht e ka ftuar në prani të Tij, duke e tërhequr nga angazhimet e vazhdueshme që kishte me popullin e tij. Kjo gjë përshkruhet në këtë formë nga Kurani:
“…Dhe kur ne i caktuam Musait dyzet net…”
Praktikën e Halvetit e shohim edhe në jetën e profetit Muhammed, i cili para ardhjes së Shpalljes Kuranore tërhiqej në shpellën Hira, për të medituar dhe për të soditur. Është vetëm pas këtij procesi intensiv, ashtu sikurse me Musain a.s, që profetit Muhammed a.s i zbritet shpallja hyjnore. Pra paraqitja e dritës hyjnore ka nevojë për pastrim të enës së brendisë së njeriut. Kurani, ose rrezet e dritës hyjnore që burojnë prej tij kanë nevojë për një enë të pastër. Kjo arrihet me edukim të vetvetes dhe parapërgatitje shpirtërore e cila domosdo kërkon tërheqjen nga mesi i njerëzve në mënyrë që i gjithë përqendrimi të kthehet nga vetja. Zoti thotë në Suren Vakia se Kuranit mund t’i afrohen “vetëm ata që janë të pastër”.
Mevlana Xhelaleddin Rumi në Mesnevinë e tij tregon një ngjarje e cila e përshkruan mjaft qartë këtë element të rëndësishëm të pastrimit të brendshëm. Ai thotë se në një rast mbreti porositi artistët kinezë dhe artistët grekë që t’i bënin pikturën më të bukur në këmbim të një shpërblimi të majmë. Në mes tyre u vendos një perde që palët të mos shihnin njëra-tjetrën dhe secila ia nisën punës. Nga njëra anë artistët kinezë hidhnin mbi mur bojërat e shkëlqyeshme, karakteristikë për artin kinez, ndërsa nga ana tjetër artistë grekë u mjaftuan me pastrimin dhe zbardhjen e faqes së murit të tyre. Kur perdja u hoq dhe dielli ra mbi ngjyrat kineze, pasqyrimi i tyre në murin grek që tashmë ishte pastruar tërësisht ishte më i bukur edhe se vetë piktura origjinale e murit Kinez.
Mevlana këtu dëshiron të përcjellë idenë se pastrimi i brendshëm është pa diskutim element kyç për të pasur mundësinë që “ngjyrat e botës së lartë” të përcillen përmes nesh pa u ndotur në proces.
Etapa e parë e këtij rrugëtimi është qëndrimi me vetveten, analiza e vetes dhe shqyrtimi i problematikave personale. Format e këtij rituali në traditën Islame janë të tre llojeve: Itikafi, halveti, uzleti.
Itikati është tërheqje dhe mbyllje në xhami e cila bëhet në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan, për ta adhuruar Allahun dhe për të shtuar përkushtimin gjatë atyre ditëve. Gjatë kohës që besimtari vendos të kryejë këtë adhurim, duhet të angazhohet vetëm me përkujtimin e Zotit, meditimin rreth begative të Tij dhe për gjendjen e tij në lidhje me Zotin. Pas kryerjes së namazit të Filtër Bajramit, kryhet edhe itikafi dhe personi mund të dalë prej xhamisë.
Halveti nuk është i kufizuar në kohë. Ai mund të kryhet në periudha të ndryshme të vitit dhe në kohëzgjatje të ndryshme varësisht porosisë që mjeshtri shpirtëror i vendos atij që do të hyjë në Halvet. Koha standarde e zgjatjes së halvetit është dyzet ditë, duke marrë shkas prej asaj që Zoti tregon në Kuran lidhur me Musain a.s.
Izolimi tërësor është një formë tërheqjeje apo pensionim i njeriut lidhur me botën. Njeriu që merr përsipër të izolohet, tërhiqet pothuajse tërësisht nga shoqëria njerëzore dhe angazhimin e tij të përditshëm e ka adhurimin dhe përkujtimin e Emrave të Zotit. Lidhur me këtë, Profeti Muhammed a.s thotë: “Jeta më e mirë e një njeriu është… ai që merr delet dhe dhitë e veta, ngjitet në mal apo në ndonjë luginë, kryen namazet, lutet dhe adhuron Zotin derisa t’i vijë vdekja.”
I Gjithë ky ritual adhurimi është me qëllim të edukimin të vetes. Njeriu që nuk ka kontroll vetveten dhe huqet e tij, e ka të pamundur të prodhojë mirëqenie dhe të ndihmojë në ndërtimin e shoqërisë së virtytshme. Për të arritur këtë, njeriu herë pas herë duhet të tërhiqet nga bota për ta ruajtur këtë të fundit nga e liga e tij, të cilën ky i fundit e shpalos me vetëdije apo pa vetëdije.
Imam Kushejriu thotë se njeriu që futet në halvet, duhet të bëjë këtë me mendimin se tërheqja do ta ruajë botën nga e keqja e tij dhe jo të tërhiqet për t’u ruajtur nga e keqja e botës. Nëse ai tërhiqet për t’u ruajtur nga e keqja e botës, atëherë kjo është shenjë e mendjemadhësisë, pasi që ky person e konsideron veten më të lartë se bota ndaj së cilës largohet. Imami thotë se për një njeri të tillë është më mirë që të mos futet në halvet derisa të jetë i përgatitur për diçka të tillë.
Abdulkadir Gejlani k.s në veprën e tij Sirr el-Esrar e ndan halvetin në dy forma. Ai thotë se ka halvet të jashtëm dhe të brendshëm. Halveti i jashtëm është tërheqja fizike nga mesi i njerëzve, në mënyrë që ai ta ruajë botën prej ligësisë së vet. Ai shpreson gjithashtu se gjatë kësaj kohe do ta pastrojë veten nga veset e karakterit dhe shpreson se egoja do të shkëputet njëherë e mirë nga gjërat me të cilat është e lidhur. Krahas kësaj ai shpreson se izolimi do t’ia edukojë oreksin egos, duke lejuar në këtë mënyrë zhvillimin e tij shpirtëror. Shejhu vazhdon duke thënë se: “Ai që i druhet Zotit dhe pendohet, duke e larguar qenien e tij të shëmtuar nga mesi i besimtarëve dhe duke e larguar shëmtinë që bart nga besimi i vet, ai person shndërrohet gjatë kohës së izolimit në një djalosh të bukur.”
Ndërsa sa i përket halvetit të brendshëm ai është distancimi nga zemra i të gjitha mendimeve që janë të përbotshme, të liga, të përziera me ego, duke e shoqëruar këtë me braktisjen e ushqimit, pijes dhe pasurive, familjes, bashkëshortes/it, fëmijëve dhe kujdesin për çdo gjë tjetër. Ai që synon të futet në izolim të brendshëm duhet të heq dorë prej krenarisë, arrogancës, hakmarrjes, tiranisë, lakmisë, zemërimit, përbuzjes etj. Nëse qoftë njëra prej këtyre ndjenjave paraqitet gjatë izolimit, atëherë zemra ndotet. Ajo nuk është më e shkëputur nga bota, prandaj ai izolim është i pavlefshëm. Në momentin që papastërtia futet në zemër, kjo e humbet pastërtinë dhe çdo e mirë zhvlerësohet. Zoti thotë: “Ajo që ju keni sjellë është mashtrim. Pa diskutim se Zoti do ta zhvlerësojë të gjithë punën tuaj.” (Junus,81).
Ibn Ataillahu thotë në urtësitë e tij se ushqimi më i mirë për zemrën është izolimi i shoqëruar me meditim. Pra njeriu pavarësisht natyrës së tij sociale, në të cilën projekton jetën e tij publike, i duhet që ta projektojë edhe jetën e tij shpirtërore dhe këtë e arrin përmes tërheqjes ciklike nga shoqëria për t’i dhënë kohë zemrës për t’u rritur.
Megjithatë një faktor shumë i rëndësishëm lidhur me këtë ritual është disiplina. Njeriu i tërhequr nga mesi i shoqërisë për të stërvitur veten e tij, duhet ta njohë mirë kapacitetin që ka për t’u përballur me veten e vet, përndryshe rrugëtimi mund të mbetet i paplotë ose të ketë rezultate jo të mira.
Mistiku i madh Ibn Arabiu kur flet lidhur me halvetin dhe izolimin thotë: “Synimi i tërheqjes është largimi nga shoqëria e njerëzve dhe synim përfundimtar nuk është distancimi fizik ndaj tyre, por distancimi i zemrës dhe i veshit tënd prej fjalëve të tyre të pafundme. Ti nuk do të jesh i pastruar asnjëherë nga përçarjet e botës, pa u larguar prej tyre.”
Njeriu e ka të pamundur që të jetojë jetë vetmitare. Ai është i krijuar në natyrë sociale dhe rrjedhimisht i përfshirë në çështjet e botës që e rrethon, qoftë kjo njerëzore qoftë kjo natyrore. Kjo bën që njeriu ndaj botës përreth të ketë detyrime dhe angazhime. Shpeshherë ndodh që gjatë rrugës të përzihen filtrat e verifikimit të realitetit të gjërave dhe luhatja e peshores së vlerave. Për ta ruajtur njeriun prej kolapsit tërësor është e rëndësishme tërheqja e herë pas hershme për ta kalibruar edhe një herë veten dhe për t’i parë gjërat nën llupen e së Vërtetës.
Prandaj vlen të theksohet se me halvet nuk synohet izolimi në vetvete, por ri formatimi i lidhjes me Zotin dhe qëndrimi në prezencë të Tij gjatë gjithë kohës. Pra të qëndruarit në mesin e njerëzve ashtu sikurse gjendesh në halvet. I përzier me njerëzit, por larg tyre dhe në prani të Zotit. Jahja bin Muadhi thotë: “analizo nëse intimiteti që ke krijuar është me izolimin apo me Zotin. Nëse është me izolimin, atëherë kur të dalësh prej aty do të dalësh edhe prej asaj gjendjeje, por nëse ke intimitet me Zotin, atëherë ajo do të qëndrojë kudo qoftë që ti shkon.”
Njeriu bashkëkohor është tëhuajësuar aq shumë prej vetes saqë bota nga e cila ka edhe brumin i është bërë e ngushtë dhe ai sheh drejt qiellit për planete të tjerë për ta zhvilluar të ardhmen e tij. Ai e ka pashmangshmërisht të nevojshme që të kthehet dhe të shohë drejt vetes, ta rilexojë edhe një herë veten e tij, në këtë mënyrë do të shohë siç thotë edhe Mevlana Rumi se: “ti je oqeani në një pikë.”
…A nuk qe toka e Zotit e gjerë dhe të ecnit në brendi të saj?!
/RevistaUji9/