Albin Mehmeti-Ngatërresa
Një gabim i vogël mund t’i ndryshojë gjërat në jetë. Korrigjim. Mbase fjala gabim nuk është adekuate në rrëfimin që do ta rrëfej. Nuk guxoj të gaboj ngase një fjalë mund ta ndryshojë edhe rrjedhën e tregimit. Tregimi s’është as më pak e as më shumë sesa jeta dinamike në miniaturë. Do të mendosh se e ekzagjerova që thashë se një fjalë e vetme mund ta ndryshojë jetën. Nëse ke menduar kështu, atëherë ke gabuar. Ndonjëherë jo vetëm fjala, por edhe pika e presja mund t’ia ndryshojë dikujt jetën. Ndoshta keni dëgjuar për të burgosurin që i shpëtoi vdekjes falë një gabimi të vendosjes së një presjeje. Nëse s’e keni dëgjuar atëherë pyetni dikë që e ka dëgjuar. Unë s’kam të drejtë ta them. S’ma lejon e drejta e autorit. Të komentojë mbase kam të drejtë. Këtu, ka një zbrazësi ligjore, ha, ha, ha. Shpeshherë them sa me fat paska qenë i burgosuri që shkronjësi i dekretit paska munguar në orën e gramatikës kur është shpjeguar për rregullat e pikësimit. E shihni, një gabim i bërë dekada më herët ia ndryshoi dikujt jetën.
E di që e zgjata dhe bëra gabim. Ndoshta ky gabim ka ndikuar që lexuesit t’i kanë kaluar këta rreshta e ndoshta ka edhe që e kanë lënë tregimin pa e lexuar. Ky gabim ka bërë që të dukem se më ka humbur fija dhe nuk po di të kthehem aty ku kam nisur. Në dallim nga jeta që s’mund të kthehesh prapa t’i ndreqësh gabimet, unë mundem të kthehem prapa. Me një lëvizje të lehtë të dorës mund ta shqyej fletën. Ta bëj? Në rregull, po e lë, por vetëm më lejo pak sekonda të kthehem e të shikoj se çfarë kam nisur të them.
Fjalën gabim më të vërtetë e paskam përdorur gabim. Në rrëfimin që do ta nisi ta rrëfej pas pak do të duhet ta përdori fjalën ngatërresë. A mos po ju duket se jam duke bërë gabim që jam duke përdorur pak si shumë fjalën ndoshta. Ndoshta po. Ndoshta jo. Ndoshta as po e as jo.
Po e bëj një ndërprerje të rrëfimit. Pas pak do të filloj drejt e në temë. Do t’ia filloj nga mesi i ngjarjeve apo siç thonë teoricienët e letërsisë in medias res.
***
Atë ditë lindën shumë fëmijë. Korridori i Repartit të Gjinekologjisë të Spitalit të Madh të Dashamirit gëlonte nga familjarët. I gjithë stafi, madje edhe ata që ishin në pushime javore e vjetore kishin ardhur për të punuar. Të gjithë shtretërit të të gjitha dhomave ishin zënë. Po të vinte (e që për fat asnjë nuk erdhi) ndonjë grua tjetër për të lindur, sigurisht se do të lindte në korridor a në ndonjë kthinë. Nejse, kjo pak ka rëndësi për ne.
Para përfundimit të orarit të punës u bë një mbledhje e stafit të mjekëve. Diskutuan për pacientet e gjendjen e tyre. Kohëve të fundit diskutonin edhe për vendlindjen e gjithsecilës. Të parat pak rëndësi kanë për rrëfimin tonë. Mbase kjo e fundit po. Se për çka do ta shihni. Kjo do të ndërlidhet me një ngatërresë që ka ndodhur dhe e cila do ta ndryshojë rrjedhën e tregimit. Nejse, për t’u kuptuar ngatërresa, së pari po e rrëfej fillimin e ngjarjes dhe më pas do të kthehem tek ngatërresa. Nuk e di se a kam bërë gabim më fillim që rrëfeva nga mesi e jo nga fillimi apo tash që po kërcej sa këndej e sa andej.
***
Në Dashamir dhe në fshatrat përreth po ndodhte diçka që s’kishte ndodhur më herët. Këtë se mbanin mend as plakat e as pleqtë e Dashamirit dhe të fshatrave përreth. S’kisha ndodhur as në përrallat dhe mitet e shumta të këtyre anëve. Asnjëherë s’kishte ndodhur që të gjitha nënën që lindnin e ato që kishin lindur disa muaj më herët të mos kishin qumësht për fëmijët e tyre. Çudia edhe më shumë shtohej atëherë kur u kuptua se vetëm gratë e fshatit Bardhjan kishin me çka t’i ushqenin fëmijët. As në barnatore dhe dyqane s’kishte qumësht artificial. Fëmijët rrezikonin të vdisnin. Dikush filloi të krijonte mite se si qumështi i grave të Bardhjanit ishte qumësht i zanave të bjeshkëve të atij fshati. Arsye tjetër përveç këtij miti askush nuk dha. Dikush dha idenë që fëmijët e Dashamirit dhe të fshatrave përreth t’i dërgonin tek mëndeshat e Bardhjanit. Ato vetëm se kishin themeluar biznesin e tyre. Ashtu edhe u bë. Kundrejt një pagese të majme, mëndeshat e Bardhjanit ushqenin fëmijët e Dashamirit dhe të fshatrave përreth.
***
E dëgjuat rrëfimin? E dëgjuat emrin Bardhjan? Mirë. Njëra nga gratë që lindi atë ditë në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Madh të Dashamirit ishte nga Bardhjani. Të gjithë sytë nga ajo. Aty ishte shpëtimtarja e jetëve të shumë e shumë fëmijëve që kishin lindur në një kohë të rëndë. Drejtori i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Madh të Dashamirit kërkoi nga recepsionistja që t’ia tregojë numrin e dhomës dhe të krevatit të bardhjanases. Ndoshta nga numri i madh i pacienteve e ndoshta edhe nga lodhja, recepsionistja gaboi numrin e dhomës. Këtu ndodhi e papritura… Këtu edhe unë po e ndali për pak rrëfimin. Si narrator duhet të jem i barabartë si për fillimin dhe si për fundin e tregimin. Po dal pak kah fundi e ashtu kështu do të kuptohet më lehtë mesi i tregimit.
***
Po zhvillohet një gjyq i madh dhe i paparë më herët në Dashamir. As gjyqtarët e as gjyqtaret më të vjetra të Dashamirit s’e mbajnë mend një gjyq kaq të madh. Në karrigen e të akuzuarit gjendeshin një grup i madh i njerëzve. Bri njëri-tjetrit gjendeshin drejtori i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Madh të Dashamirit, mjekë, infermiere, pesëmbëdhjetë gra dhe pesëmbëdhjetë burra nga Bardhjani. Prokuroria e Dashamirit i akuzonte ata për një sërë akuzash duke filluar nga krim i organizuar, shkaktim i rrezikut të shëndetit dhe përfitim pasuror në mënyrë të jashtëligjshme. Sipas akuzës, drejtori i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Madh të Dashamirit së bashku me mjekë dhe infermiere kishte planifikuar dhe zbatuar planin “Mëndesha”. Ata kishin planifikuar që me gratë nga Bardhjani të krijonin një grup të mëndeshave, të cilat do t’i ushqenin fëmijët e Dashamirit dhe të fshatrave përreth. Çdo gruaje që kishte lindur atyre gjidhënëse do t’u injektohej një ilaç që do t’ua humbiste qumështin. Këtu përjashtoheshin gratë nga Bardhjani, të cilat do ta kryenin profesionin e mëndeshës për fëmijët e Dashamirit dhe të fshatrave përreth. Fitimi do të ndahej përgjysmë mes stafit të Repartit të Gjinekologjisë dhe mëndeshave. Burrat e mëndeshave do të shëtisnin orë e çast nëpër barnatoret dhe dyqanet e Dashamirit dhe do ta blinin gjithë kontigjentin e qumështit artificial.
Kjo punë ishte duke vajtur për mrekulli po të mos bëhej ngatërresa në Spital. Drejtori i Repartit të Gjinekologjisë do ta ngatërronte bardhjanasen me një dashamirase. Ai pa frikë do t’ia rrëfejë asaj planin. Më pas ajo do ta lajmërojë rastin në polici.
***
Tashmë ka mbetur edhe vendimi i gjyqtarëve për të akuzuarit. Mbase po bëj gabim që s’po e pres vendimin. Ndoshta shkronjësi i verdiktit s’ka qenë në orën e gramatikës dhe shumë lehtë mund t’i lirojë të akuzuarit. Nëse mendon se jam duke bërë gabim, përmirësoma gabimin dhe shko ndiqi nga afër seancat e gjyqit.
Marrë nga: Revista “UJI”